Kakao stimulon aftësitë intelektuale

86

Sipas një studimi amerikan, rezultoi një përmirësim i aftësive intelektuale të personave që pinin kakao.

Këto janë rezultate interesante për kërkimet për sëmundjen e Alzheimer-it.

Përsëri kakaoja zbulon vlerat e saj! Ne e dinim që ajo bën mirë për lëkurën, ndihmon për djegien e yndyrave, ka efekte antikollë dhe vazodilatatorë. Një studim i ekipit të Dr Farzaneh Sorond, i shkollës së mjekësisë së Harvard-it, i botuar në “Neurology”, shton se kakaoja mund të kompensojë një rënie të lehtë të aftësive intelektuale të personave të moshuar, citon Living.

“Ndërsa truri përbën vetëm 2% të peshës së përgjithshme, ai konsumon mbi 20% të oksigjenit dhe energjisë së trupit të njeriut”, kujton Dr Paul Rosenberg, specialist i sëmundjes së Alzheimer-it në shkollën Johns Hopkins të Baltimore-it, në një koment shoqërues të këtij botimi.

Kur përdorim trurin tonë, neuronet tona kanë nevojë për energji për funksionimin e tyre. për t’iu përgjigjur kësaj kërkese, prurja e gjakut në tru rritet për të sjellë glukozën. “Kjo lidhje, që quhet çiftëzim neuro-vaskular, arrin të luajë një rol të rëndësishëm në sëmundje të tilla si ajo e Alzheimer-it”, thekson Dr Sorond-i.

Kërkime premtuese

Studimi u realizua në një këndvështrim të dyfishtë: të studiohej lidhja midis çiftëzimit neuro-vaskular dhe funksioneve intelektuale, si dhe efekti i kakaos mbi to. Dy filxhanë kakao në ditë për një muaj: ky ishte regjimi strikt që respektuan 60 persona me moshë mesatare 73 vjeç dhe pa asnjë shenjë demence.

Ata iu nënshtruan ekzaminimeve Doppler për të parë fluksin e gjakut në arterin cerebral të mesëm të personave, kur iu nënshtroheshin testeve të thjeshta intelektuale. Rezultati ishte i qartë: tek personat me probleme të çiftëzimit neuro-vaskular ditën e parë, terapia e kakaos çoi në një përmirësim prej 8,3%, ndërkohë që tek personat pa probleme, nuk u pa ndonjë përmirësim i rëndësishëm.

Rezultatet e studimit janë shumë interesante, por ende në hapat e parë. Studimi u bazua kryesisht tek flavanolët, të cilëve u atribuohen efekte të shumta pozitive.

Studimi për kakaon nuk ka për synim vetëm vlerat e kakaos, por për medikamentet parandalues apo kurues të sëmundjes së Alzheimer-it dhe sëmundjesh të tjera neuro-degjenerative, që mund të prodhohen në të ardhmen. Studimi është shumë premtues, por ndërkohë, nëse hani çokollatë të zezë, nuk bëni keq!

(Visited 82 times, 1 visits today)
Load More In Këshilla

Check Also

Mbani lëkurën e fytyrës të butë dhe pa njolla vetëm me ndihmën e këtij përbërësi. Ndiqni këshillat dhe do të habiteni!

Recetat e mëposhtme natyrore të kujdesit të lëkurës bazohen në vetitë e mahnitshme të limo…