E vërteta rreth vajit të arrave të kokosit

31

Vaj i kokosit, sipas raporteve të fundit, është ushqimi që i kuron të gjitha. Pretendimet shprehin me forcë se vaji i kokosit është një ushqim i shëndetshëm që mund të shërojë gjithçka, duke filluar nga funksioni i dobët imunitar, sëmundja e tiroideve deri tek sëmundjet e zemrës, obeziteti, kanceri dhe HIV/AIDS.

Kjo do të thotë që ju duhet të investoni tek vaji i kokosit? Jo kaq shpejt.

Provat se vaji i kokosit është super i shëndetshëm nuk janë bindëse dhe këto pretendime duket të jenë më tepër dëshmi njerëzore sasa prova klinike.

Dariush Mozaffarian, Dr.Prof. në Fakultetin e Mjekësisë – Departamenti iShëndetit Publik të Harvardit, thotë se provat rreth ecurisë së sëmundjeve (duke marrë vaj kokosi) janë shumë të cekëta. E vetmja gjë që është studiuar mirë është ndikimi i vajit të kokosit në nivelin e kolesterolit dhe rezultatet janë intriguese, por ende nuk e dimë nëse kjo është e dëmshme apo e dobishme, thotë Mozaffarian.

As Shoqata Amerikane e Zemrës (AHA) e as udhëzuesi dietik i 2010-tës i Qeverisë së Shteteve të Bashkuara nuk këshillojnë se vaji i kokosit është më i mirë apo i preferueshëm se sa yndyrnat e tjera të ngopura. Vaji i kokosit, si të gjitha yndyrnat e ngopura, duhet të kufizohen në 7%-10% të kalorive të marra për shkak se ai mund të rrisë rrezikun e sëmundjeve të zemrës, sipas AHA dhe Udhëzuesit Dietik të vitit 2010.

Çfarë është vaji i kokosit?

Vaji i pastër, i virgjër i kokosit, që nuk përmban asnjë hidrogjenezë (procesi i shtimit të hidrogjenit për ta kthyer një yndyrë të lëngshme në të ngurtë ), përmban 92 % yndyrna të ngopura, shumën më të lartë të yndyrave të ngopura nga çdo yndyrë tjetër.

Shumica e yndyrave të ngopura bëhen të ngurta në temperaturë dhome dhe gjenden tek prodhimet shtazore (të tilla si mishi, qumështi, pulat me lëkurë dhe dhjami i biftekut) dhe përmbajnë kolesterol. Ndryshe nga yndyrat shtazore, vajrat tropikalë; i palmës, i kokrrave të palmave dhe vaji i kokosit; janë yndyra jo të ngopura që quhen vajra, por në varësi të temperaturës së ambientit mund të jenë të ngurta, gjysmë të ngurta ose të lëngshme dhe nuk përmbajnë kolesterol.

Si të gjitha yndyrat, vaji i kokosit është një përzierje e acideve yndyrore. Vaji i kokosit përmban një përzierje të pazakontë të acideve yndyrore të gjatësisë së shkurtër dhe të mesme molekulare, sidomos acid laurik (44 %) dhe acid miristik (16.8 %). Është kjo përbërje e pazakontë që mund të ofrojë disa përfitime shëndetësore.

Përveç kësaj, për shkak se ato vijnë nga arra e kokosit, mund të përmbajnë kimikate të dobishme bimore që ende nuk janë zbuluar; thotë Mozaffarian, studiues dhe bashkëdrejtor i programit të epidemiologjisë kardiovaskulare në Harvard.

Për sa i përket kalorive, të gjitha yndyrat kanë numër të njëjtë të kalorive për gram. Një lugë gjelle vaj kokosi përmban 117 kalori, 14 gram yndyrë, 12 gr yndyrë të ngopur dhe nuk ka vitamina apo minerale.

Vaji i kokosit dhe yndyrat e tjera

Vaji i kokosit është më i mirë se gjalpi dhe yndyrat e hidrogjenizuara (margarina), por jo aq i mirë sa vajrat bimorë të lëngët, thotë Penny Kris-Etherton, dietolog dhe doktor i Filozofisë (për kontribute origjinale në lëmin e dijes), në Universitetin e Penn State.

Mozaffarian pajtohet me faktin se vaji i kokosit është më i mirë se yndyrat pjesërisht të hidrogjenizuara dhe yndyrat shtazore.

Por edhe nëse vaj i kokosit nuk përmban kolesterol, ai është ende një yndyrë e ngopur që duhet të kufizohet në dietë, dhe në qoftë se ju jeni duke kërkuar për përfitimet reale shëndetësore, kaloni nga yndyrat e ngopura tek yndyrat jo të ngopura duke përdorur vajra bimorë, nga përbërës si soja, kanola, misri ose ulliri, thotë Kris Etherton, anëtar i komitetit këshillues të Udhëzuesit Dietor të vitit 2005, si dhe i panelit të referencave të konsumit dietik në Institutin e Mjekësisë për makronutrientët (duke përfshirë dhe yndyrat).

A është vaji i kokosit më i mirë se yndyrat dhe vajrat e tjera?

Yndyrat janë pjesë e rëndësishme e një diete të shëndetshme, por çelësi është të hani mjaftueshëm yndyrë, jo shumë dhe të zgjidhni yndyrat më të mira sa më shpesh të jetë e mundur. Udhëzimet dietike rekomandojmë që yndyrat të përbëjnë 20% deri në 35% të totalit të kalorive dhe yndyrat e ngopura më pak se 10%. Edhe pse vaji i kokosit është i lëngshëm, udhëzimet dietike e konsiderojnë atë një yndyrë të ngurtë, konsumi i së cilës duhet të jetë i ulët, së bashku me sheqernat e shtuar.

Për sa kohë që ju mbani sasinë e yndyrave të ngopura në më pak se 10% të kalorive, zgjedhja për pjesën tjetër është e juaja.

Ushqimet që përmbajnë vaj kokosi, zakonisht nuk janë burim i mirë nutrientësh, kështu që është më mirë ti merrni yndyrat e ngopura nga ushqime që janë të pasura me ushqyes, të tilla si djathi dhe mishi pa dhjamë, që përmban proteina të pastra, thotë Connie Diekman, autor i librit. Gjithçka rreth ushqimit mesdhetar.

Ku janë provat shkencore që e mbështesin këtë?

Vaji i kokosit përmban disa acide yndyrore që i bëjnë mirë zemrës (acidi miristik), por përmban më shumë acide yndyrore që i bëjnë keq zemrës (acidi laurik). Kështu shprehet Dr. Roger Clemens, zëdhënës dhe presidenti i zgjedhur i Institutit të Teknologëve të Ushqimit dhe anëtar i Komitetit Udhëzues Dietor të 2010-ës.

Një meta- analizë (analizë që krahason dhe kombinon rezultatet e shumë studimeve) e 60 studimeve vlerësoi efektet e yndyrave individuale ndaj rrezikut të sëmundjeve koronare të zemrës. Disa nga këto studime kanë ekzaminuar vajin e kokosit dhe zbuluan se kombinimi i acideve yndyrore përmirësonte raportin e kolesterolit total: kolesteroli HDL (i mirë), por ata gjithashtu rrisin nivelin e kolesterolit LDL (të keq).

Yndyrat e ngopura mund të rrisin kolesterolin LDL dhe, edhe pse disa studime kanë treguar se ato mund të përmirësojnë raportin e kolesterolit HDL, ato gjithashtu zbuluan se ka një rritje të kolesterolit LDL dhe së fundi mund të themi se, çdo ushqim që ngre kolesterolin LDL duhet të jetë i kufizuar për shkak se ky lloj kolesteroli është objektivi kryesor i kurave për sëmundjet e zemrës, thotë Kris Etherton.

Megjithatë, ka ende debat mbi rolin e yndyrave të ngopura dhe rolin e kolesterolit LDL.

Mozaffarian thotë se kolesteroli LDL është vetëm një nga bioshënjuesit për rrezikun e sëmundjeve të zemrës. LDL është i rëndësishëm, por kështu është dhe HDL dhe fakti se kush është më i besueshëm për një shëndet të mirë, është spekulativ, kështu që ne duhet të shikojmë përtej kolesterolit LDL të izoluar, për të përcaktuar ndikimin e një ushqimi tek shëndeti.

Shumica e ekspertëve janë dakord se për të zvogëluar rrezikun e sëmundjeve të zemrës, zëvendësimi i yndyrave të ngopura me yndyra të shëndetshme jo të ngopura, është e preferueshme. Ka dhe marrëveshje të mëtejshme që thonë se nevojiten më shumë studime në fushën e acideve yndyrore dhe marrëdhënies së tyre me shëndetin.

Qartësimi i konfuzionit në lidhje me yndyrat

Ka dy kategori themelore të yndyrave. Yndyrat e shëndetshme janë të pangopura dhe përfshijnë vajrat bimorë, vajrat e peshkut dhe yndyrat bimore tek arrat, farat dhe avokadot. Këto yndyra duhet të jenë kryesore në dietën tuaj, sepse ato ose janë neutrale ose rrisin nivelin e kolesterolit HDL, por nuk e rrisin nivelin e kolesterolit LDL.

Yndyrat e ngopura, më pak të shëndetshme, që gjenden tek yndyrat shtazore dhe vajrat tropikale të tilla si vaji i kokosit, janë të lejueshme, por në sasi më të vogla, sepse ato rrisin nivelin e kolesterolit LDL.

Yndyrat e përpunuara, në ushqimet e përpunuara, janë yndyra të këqija, të afta për të ulur nivelin e kolesterolit HDL dhe të rrisin atë të LDL-së dhe konsumi i tyre duhet të mbahet sa më ulët të jetë e mundur.

Ushqimi është më i rëndësishëm se ushqyesit

Të mbajturit e një diete ushqyese, që përfshin kryesisht ushqime të plota dhe të balancuara në kalori, është më e rëndësishme se shqetësimet në lidhje me ushqimet dhe nutrientë të veçantë, thotë Diekman.

P.sh. asparagusi i gatuar me vaj kokosi është një zgjidhje më e mirë se vaji i kokosit pjesërisht i hidrogjenizuar në mallrat e pjekur, por jo domosdoshmërisht më i mirë se asparagusi i gatuar me vaj ulliri.

Gjëja më e rëndësishme është modeli juaj i përgjithshëm dietetik. Ne nuk mund të themi se vaji i kokosit është i shëndetshëm apo jo. Kjo varet nga pjesa tjetër e dietës, thotë Mozaffarian.

Ne hamë ushqime, jo ushqyes, dhe nëse konsumatorët do ti kushtonin më shumë vëmendje zgjedhjes së ushqimeve të shëndetshme, të lexonin etiketat e përbërësve ushqyes dhe të ndiqnin rekomandimet e Udhëzimeve Dietore, çështja e yndyrës do të zgjidhej.

Përdorimi i vajit të kokosit në ushqime dhe gatim

Clemens thotë se vaji i kokosit është përdorur në ushqimet e përpunuara pasi ai është relativisht i lirë dhe mund të sigurojë cilësi kërcitëse për ushqimet.

Vaji i kokosit kërkon temperaturë të lartë për tu tymosur, gjë që e bën atë rezistent ndaj oksidimit dhe qëndrimit në ambient jo të përshtatshëm. Vaji i i hidrogjenizuar dhe pjesërisht i hidrogjenizuar i kokosit gjendet tek drithërat e gatshme, mallrat e pjekur, biskotat e kripura, sapunët, produktet kozmetike dhe vajrat apo kremrat e ndryshëm.

Vaji i kokosit po bëhet i favorshëm për vegjetarianët, të cilët preferojnë ti marrin yndyrat e ngopura nga ushqimet bimore. Kuzhinierët janë duke zbuluar vetitë unike të vajit të kokosit në ushqimin e gatuar për shkak se ai ka një temperaturë të lartë tymosjeje dhe veti forcuese.

Gëzojuni vajit të kokosit, nëse kjo është preferenca juaj, por konsumojeni atë me moderim deri kur kërkime të mëtejshme të tregojnë se yndyrat e ngopura janë më të mira se të tjerat./gazetaexpress/

Load More In Shëndeti

Check Also

KUJDES RAPORTET ME NËNËN

Transmetohet,, se në kohën e Muhamedit a.s. ishte një djalë që ishte sëmurë dhe vuante mom…