Si të zgjidhet problemi i urinimit gjatë natës tek fëmijët?

35

Urinimi gjatë natës është një nga problemet më të shpeshta të moshës së fëmijëve. Numri më i madh i fëmijëve që urinojnë natën kurrë nuk kanë krijuar kontroll të urinimit natën, ose më saktë, nuk ka pasur një periudhë më të gjatë se gjysmë viti që fëmiu nuk ka urinuar natën.

Enureza (urinim i pavullnetshëm) është forma më e shpeshtë e urinimit primar natën tek fëmijët e shëndetshëm pas moshës pesëvjeçare.

Sipas të dhënave nga literatura botërore në moshën 5 vjeç, çdo i katërti fëmijë ka enurezë. Kur fillojnë shkollën çdo i dhjeti fëmijë urinon natën. Me rritjen, numri i fëmijëve me enurezë zvogëlohet. Kështu, në moshën 10 vjet 7 për qind e fëmijëve e kanë këtë problem. E thënë në mënyrë më të qartë, në çdo klasë të shkollës fillore 2-3 fëmijë urinojnë natën. Sipas statistikave botërore 1-2 për qind e fëmijëve vazhdojnë të urinojnë natën edhe në moshën e rritur.

Tek fëmijët me enurezë funksioni i fshikëzës është krejtësisht normal, zbrazja e fshikëzës është e plotë por kjo ndodhë, përkundër dëshirës së fëmijës, në ëndërr. Gjatë ditës, në gjendje të zgjuar, fëmija është i thatë dhe nuk ka kurrë probleme me infeksionet e traktit urinar.

Nga shumë arsyet për të cilat është menduar se janë shkak i enurezës, sot dihet se më të rëndësishëm janë: faktorë të familjes apo gjenetike, gjumi i rëndë, prodhimi i zmadhuar i urinës në gjumë dhe/ose kapaciteti relativisht i vogël i fshikëzës. Në familjen e afërt ose të largët të fëmijëve me enurezë, zakonisht ka anëtarë të tjerë të cilët gjatë fëmijërisë kanë pasur të njëjtin problem.

Është e njohur se, nëse të dy prindërit natën kanë urinuar si fëmijë, probabiliteti se edhe fëmija i tyre do të urinojë është mbi 75 për qind. Gjatë dekadës së kaluar janë identifikuar disa gjene të cilat janë të rëndësishme për dukurinë e enurezës. Sa i përket gjumit, fëmijët me enurezë janë “gjumashë të fortë”, vështirë zgjohen. Te shumica e fëmijëve me enurezë gjatë natës ka një prodhim të madh të urinës. Kjo ndodh si pasojë e çrregullimit në ritmin e sekretimit të një neuropeptidi, vazopresinit, i cili sekreton në tru dhe i cili në nivel të veshkave rregullon sasinë dhe dendësinë e urinës së krijuar në gjumë.

Një nga keqkuptimet më të shpeshta në lidhje me enurezën është se enureza është pasojë e problemeve psikologjike apo profilit psikologjik të fëmijës. E vërtetë është se fëmijët me enurezë, veçanërisht nëse trajtimi nuk është filluar me kohë dhe zgjat më shumë, kanë shumë probleme psikologjike, çrregullime emocionale dhe sociologjike, por ato janë gjithmonë pasojë, e jo shkak i enurezës. Shpesh keqkuptohet se enureza nuk mund të shërohet, ose nuk duhet të trajtohet sepse ajo vetë do të ndalet.

Enureza në shumicën e fëmijëve mund të shërohet. Enureza e cila zgjat më gjatë mbart rrezikun e krijimit të pasojave serioze në zhvillimin mendor, emocional dhe social të personalitetit të fëmijës. Fëmijët me enurezë ndjehen ndryshe nga moshatarët e tyre që nuk urinojnë, ashtuqë tek këta fëmijë zhvillohet ndjenja e fajit. Ata përpiqen të fshehin problemin e tyre nga mjedisi, tërhiqen në veten e tyre, bëhen të pasigurtë, shmangin kontaktet me moshatarët e tyre, duke çuar në vetëizolimin e tyre social. Studime të shumta kanë treguar se vetëbesimi i fëmijëve me enurezë është ndjeshëm i ulët jo vetëm në raport me

moshatarët e tyre pa enurezë, por edhe në raport me fëmijët me sëmundje të rënda kronike. Nëse trajtimi fillon në kohë, të gjitha këto probleme janë të evitueshme, ashtuqë fëmijës i mundësohet të rritet në një person të shëndetshëm mendor dhe person social i mirë-përshtatur. Besohet shpesh se enureza është pasojë e reagimit të vetëdijshëm të fëmijës, rrebelimit të tij apo përpjekjes të bëjë presion mbi prindërit për të realizuar ndonjë qëllim të tij.

Kjo është një nga gabimet më serioze për të cilin prindërit, jo rrallë, mbështeten në dënimin e fëmijës. Kjo ilustrohet më së miri nga fakti se përqindjen më të madhe të fëmijëve të abuzuar të moshës shkollore e përbëjnë fëmijët me enurezë. Harrohet se enureza nuk është problem vetëm i fëmijës. Ky është një problem i gjithë familjes dhe shpesh arsye për çrregullimin e marrëdhënies së mirëkuptimit dhe harmonisë në familje, i cili gjithashtu ka ndikim negativ në zhvillimin e personalitetit të fëmijës.

Fëmijët me enurezë duhet të shërohen. Prindërit e një fëmijë me enurezë duhet të kontaktojnë pediatrin e tyre i cili në bisedë me ta dhe fëmijën, në bazë të kontrollit dhe një numër të vogël të testeve jo-invazive përcakton llojin e urinimit dhe fillon me terapinë e duhur mjekësore. Koha optimale për të filluar terapinë tek fëmijët me enurezë përcaktohet individualisht, por trajtimi i jep rezultatet më të mira nëse fillohet parashkollimit.

Zgjedhja e terapisë tek fëmijët me enurezë varet nga natyra e çrregullimit bazë i cili ka sjellë enurezën, kurse terapia moderne është bazuar nga rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Federata Ndërkombëtare për urinim. Mjekimi kryhet nën mbikëqyrjen e mjekut. Përvoja mbi 30 vjet në trajtimin e më shumë se 8 milion fëmijëve me enurezë në të gjithë botën tregon se terapia e aplikuar është e sigurt për fëmijën.

Load More In Shëndeti

Check Also

KUJDES RAPORTET ME NËNËN

Transmetohet,, se në kohën e Muhamedit a.s. ishte një djalë që ishte sëmurë dhe vuante mom…